NAPOLI, Itali - Një natë për t'u mbajtur mend në Napoli, jo si shumë herë. Skuadra e qytetit fitoi titullin e katërt në historinë e Serie A dhe pas fitores 2-0 kundër Cagliarit në "Maradona" festa ishte e papërmbajtëshme dhe legjitime, teksa nuk munguan incidentet dhe dhuna.
"Arsenal" i vërtetë fishekzjarresh u lëshuan në qiellin e Napolit, ndërkohë që edhe Vezuvi do i ketë patur "zili" ato ngjyra. Me 50 mijë tifozë në stadium dhe më shumë se 150 mijë të tjerë në sheshet dhe rrugët e Napolit, ultrasit e kanë gdhirë në festë dhe pamjet janë mbresëlënëse.
Nuk munguan incidentet dhe të plagosurit. Raportimet tregojnë 10 grabitje të kryera, 7 sulme të raportuara, 4 makina të braktisura, 39 të plagosur. Mbi 150 ndërhyrje për të ndihmuar njerëzit në vështirësi dhe një sekuestrim armësh. Në Parma, ndërkohë që mbështetësit e Napolit festonin këtë sukses, ata u përleshën me tifozët vendas. Për fat nuk ka të dëmtuar rëndë pas festimeve, përveç një të plagosuri me thikë, i cili është shtetas belg.
Vijimi i festës
Me autobus të hapur, futbollistët do përshëndesin tifozët të hënën dhe sigurisht që trofeu i kampionit nuk mund të mungojë në rrugët e Napolit. Ndërkohë që të martën skuadra e Napolit do ketë një vizitë në Vatikan për t'u takuar me Papa Leonin XIV.
Autobusët me ekipin e Napolit, kampion i Italisë, do të parakalojnë të hënën më 26 maj, duke filluar nga ora 15:00 përgjatë bregdetit të qytetit. Para kësaj lojtarët dhe pjesëtarët e stafit do mbërrijnë në zonën e përcaktuar me anije nga deti.
Lajmin e bëri të ditur kryetari i bashkisë së Napolit, Gaetano Manfredi. Do të ketë afërsisht 100 mijë vende në dispozicion për tifozët përgjatë itinerarit, sepse sipas asaj që shpjegoi kryebashkiaku "ne kemi një sistem sigurie për njëqind mijë vende, por do të kemi edhe katër ekrane gjigante në skajet e shesheve të ndryshme në mënyrë që ata që nuk mund të hyjnë të jenë në gjendje ta shohin paradën".
Një tërmet të vërtetë shkaktuan tifozët e Napolit në golin e parë të ndeshjes kundër Cagliarit, fituar 2-0 të shtunën dhe që u siguroi titullin kampion të Serie A. Në minutën e 42-të skocezi McTominay zhbllokoi ndeshjen, me festën që ishte e madhe.
Aq e madhe sa 'IlMattino' në Itali bën me dije se sizmiologët e përcaktojnë si "antropik", domethënë lëvizje të krijuar nga njeriu. Një tërmet. Me zë të lartë, shumë të lartë, i shoqëruar nga një ulërimë. U ndje në të gjithë qytetin e Napolit dhe zonën e Kampanjës , por në shumë raste edhe përtej kufijve rajonalë.
Nuk ishte toka që u drodh, por i gjithë qyteti që në unison prodhoi një tërmet që sizmologët e përcaktojnë si "antropik".
Janë 39 të plagosur që u raportuan në spitalet 'Vecchio Pellegrini' dhe 'San Paolo' natën e festimeve të titullit kampion në Napoli. Shumë prej tyre nga djegiet e pësuara si pasojë e përdorimit të fishekzjarrëve ose pas një sherri. Midis tyre ishte edhe shtetasi belg 27-vjeçar i plagosur me thikë në këmbë në rrugën 'Poerio'.
Me 50 mijë tifozë në stadium, Napoli festoi titullin e 4-t në Serie A. Banderolat kanë qenë të ndryshme, disa edhe shumë provokuese apo ofenduese. Në njërën prej tyre trajneri Antonio Conte shihet të ketë lidhur trajnerin e Interit, Simone Inzaghi, me këtë të fundit në rolin e një qeni. Më shumë se fantazi, diçka e tillë duket e tepruar.
Natën e festimeve për 'Scudetton' e katërt të Napolit, në Casalnuovo, rreth mesnatës, karabinierët arrestuan një 25-vjeçar vendas për shmangie nga policia. Tifozi, me fytyrën e mbuluar po përpiqej të përzihej me turmën që ishte në shesh në qendër të qytetit gjatë festimeve.
Karabinierët e njohën dhe 25-vjeçari u përpoq t'i shpëtonte arrestimit. Pas një përleshjeje të shkurtër, ai u arrestua dhe u transferua në qelitë e paraburgimit.
Tension në orët e vona të mbrëmjes së djeshme në Parma, ku pati momente përplasjesh me sende të forta dhe grushta. Gjithçka ndodhi mes tifozëve të ekipit vendas dhe mbështetësve të Napolit, të cilët dolën edhe në rrugët e qytetit emilian për të festuar kampionatin. Gjithçka ndodhi në zonën e 'Via Farini', ku disa ambiente u dëmtuan.
Incidente të ndryshme pas festës në rrugët e Napolit. Raportimet tregojnë 10 grabitje të kryera, 7 sulme të raportuara, 4 makina të braktisura, 3 të plagosur, 2 ndërhyrje për të ndihmuar njerëzit në vështirësi dhe një sekuestrim armësh.
Në orën 3:40 të mëmgjesit, në 'Sheshin Kombëtar' u gjetën disa automjete të transformuara për festën, të papërdorshme dhe të braktisura. Në njërën nga këto makina policia gjeti një pistoletë me fishekë.
Një orë më vonë, personeli mjekësor u njoftua për një person të plagosur. Ai ishte një shtetas belg 27-vjeçar i cili u godit me një armë prerëse ndërsa ndodhej në rrugën 'Via Poerio'. Atij iu afruan dy individë që udhëtonin me një skuter, të cilët, pa asnjë arsye të dukshme, e goditën në kofshën e majtë.
Komente
