Skaji jugor i vendit, Vlora dërgon 12 deputetë në Kuvendin e Shqipërisë.
Qarku, ku përballen jo vetëm të majtët e të djathtët, karakterizohet nga një ndikim i çamëve dhe minoritetit grek, votat e të cilëve jo në pak raste kanë qenë vendimtare për ndarjen e mandateve.
Në këtë qark, rezultati thuajse në të gjitha zgjedhjet, nuk ka prodhuar supriza.
Ai është dominuar nga e majta historikisht, e cila në zgjedhjet e fundit mori plot 8 mandate, kundrejt vetëm 4 deputetëve që PD çoi në Kuvend nga ky qark.
Forcë e tretë u rendit ish LSI, që mori një rezultat jo shumë të mirë, 6,200 vota, pavarësisht angazhimit gati të hapur, të Ilir Metës, asokohe, ende në zyrën e Presidentit.
Në këto zgjedhje, Vlora erdhi me një realitet të ri politik.
Si një nga zonat më të rëndësishme elektorale, PS ka zbritur aty një ish ministër dhe një ministër, Bledi Çuçin dhe Pirro Vëngun. Të dy në listë të mbyllur, me në krah 2 kandidate gra.
Lista e hapur u pasurua me një sërë blerjesh të reja, si mjeku dhe sipërmarrësi Vasil Llajo, ish drejtori i arkivave Ardit Bido, Ina Majko nga komuniteti rom apo Gjergji Mërkuri, ish kandidat i pavarur për bashkinë e Vlorës në zgjedhjet e 2023.
Demokratët në krye të betejës politike kanë Bujar Leskajn, një figurë e njohur që e lidh aktivitetin e tij politik ngushtë me Vlorën. Figura kryesore grua në listën e PD-së është Ina Zhupa, që edhe në garën e brendshme rezultoi më e votuara.
Minoriteti grek është i përfaqësuar me dy figura, Vangjel Dulen, në vend të sigurt, ndërsa në listë të hapur Petro Gjikurinë, ky i fundit humbës në garën e fundit vendore për Himarën përballë Vangjel Tavos.
Nga ana tjetër lënia e një përfaqësuesi çam, biznesmeni Skënder Muçov, vetëm në listë të hapur, u shoqërua me kritika.
Në një ndarje historike mes dy poleve më të mëdha, mbetet për t’u parë nëse Vlora do të ofrojë vota dhe për partitë e vogla në garë. Për Agron Shehajn, i cili e nisi karrierën politike nga ky qytet, Vlora shihet edhe këtë herë si mundësi.
Një qark me numër të lartë emigrantësh, Vlora ka rreth 20 mijë të rregjistruar, për të votuar nga jashtë. Ndërsa në zgjedhjet e shkuara, ky qark pati pjesëmarrjen më të ulët në votime, vetëm 31.67 %.
Komente
