Qindra hektarë me pyje po digjen në disa zona të vendit. Në Parkun Kombëtar të Lurës situata mbetet problematike. Një ditë më parë, ndërhyrja me avionin kroat “Canadair” solli përmirësim të përkohshëm, por sot është e pamundur të operohet nga ajri.
Shefi i Emergjencave tha se zona mbi Gurë-Lurën është mbuluar nga tymi, ç’ka pengon ndërhyrjen nga ajri, ndaj avioni po operon në zonën e Gjocajt.
Sakaq në malin e Shkopetit, ndërmjet Kurbinit e Mirditës, flakët po djegin sipërfaqe të mëdha pyjore si dhe rrezikojnë stanet e barinjve. Sot në mëngjes nisi ndërhyrja nga ajri me dy helikopterë hungarezë. Për të garantuar sigurinë e piloteve, OST ka ndërprerë energjinë.
Në jug të vendit, vazhdon beteja me flakët ne Malin e Dukatit. Zjarri u rikativizua mbrëmë dhe sot në terren dolën 60 forca të ushtrisë dhe zjarrfikëses.
“Për shkak të pjerrësisë së terrenit, ndërhyrja nga toka është pothuajse e pamundur, ndaj është kërkuar ndërhyrje nga ajri”, tha kryebashkiaku Ermal Dredha.
Një vatër e re u regjistrua sot në zonën e Sevasterit. Helikopteri i FA ka mbërritur në zonë, ndërsa dyshohet se zjarri është i qëllimshëm. E njëjta gjë ndodhi mbrëmë në Finiq, ku një 59-vjecar u ndalua nga policia pasi dogji malin duke hapur kullota.
Ndërkohë, është arritur të shuhet zjarri që përfshiu për disa orë me radhë fshatin Kalasë në Delvinë, ku rrezikohesjhin edhe banesa. Dy helikopterë, zjarrfikësit dhe banorët punuan për shuarjen e flakëve. Një vatër e re zjarri është aktivizuar pasditen e sotme pranë fshatit Tatzat.
Sipas Emergjencave Civile, në operacionet e sotme janë angazhuar 215 ushtarë, një helikopter i FA-së, një avion “Canadair” kroat dhe dy helikopterë hungarezë, qe kane ardhur në kuadër të Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile.
Lajm në përditësim...
Një vatër e re zjarri është aktivizuar pasditen e sotme pranë fshatit Tatzat, në territorin e bashkisë Delvinë. Ndërkohë që në zonën e Kalasë të gjitha vatrat e zjarrit janë fikur dhe situata është vënë nën kontroll, flakët janë përhapur më tej duke përfshirë një tjetër pjesë të territorit.
Situata në fshatin kalasë të Delvinës në Sarandë, vijon të mbetet problematike.
Për të ndihmuar në shuarjen e flakëve, janë rikthyer dy helikopterë pas furnizimit me karburant.
Flakët e zjarrit po djegin ullishte dhe shkurre në periferi të fshatit Kalasë.
Ndërhyrja me mjete zjarrfikëse nga toka është e vështirë për shkak të terrenit të vështirë malor.
Në zonën e Kalasës në Delvinë, zjarri po vijon ende. Një video na vjen nga terreni, ku duket një tufë lopësh që duket se janë zënë në grackë nga flakët e zjarrit.
Flakët vazhdojnë prej disa orësh dhe është e vështirë ndërhyrja me mjete zjarrfikëse për shkak të terrenit të vështirë malor.
Një zjarr ka rënë në pyllin e fshatit Lybeshë, në Njësinë Administrative Vërtop, në Poliçan. Zjarri ka rënë në sipërfaqen e pyllit me pisha dhe më pas është përhapur me shpejtësi, i favorizuar nga era dhe temperaturat e larta.
Në ndihmë të zjarrfikësve të qytetit të Poliçanit, janë nisur nga Berati dy mjete zjarrfikëse dhe 7 efektivë zjarrfikës. Drejt zonës së zjarrit janë nisur edhe dy fuoristrada të MNZSh-së Berat, pasi mjetet e tjera e kanë të pamundur të futen në zonë, për shkak të terrenit të vështirë malor dhe mungesës së rrugëve.
Kjo ka bërë që për shuarjen e flakëve, zjarrfikësit e Beratit e Poliçanit si dhe forcat e ushtrisë, të përdorin mjetet rrethanore dhe pompat e ujit të shpinës. Edhe pse situata është vënë nën kontroll dhe flakët e zjarrit janë lokalizuar, ende ka shumë vatra të vogla të ndezura që mund të riaktivizohen.
Zjarri në Kalasë vazhdon ende. Ndërhyrja nga toka është bërë shumë e vështirë për shkak të terrenit të thepisur dhe të pasigurt, ndaj autoritetet kanë angazhuar edhe dy helikopterë për të ndihmuar nga ajri në operacionin e shuarjes së flakëve.
Në terren ndodhen katër automjete zjarrfikëse dhe dhjetëra efektivë, ndërsa është kërkuar ndihma e banorëve të fshatrave Kalasë, Tatzat, Fushë-Vërri dhe Vanë, për të ndihmuar me mjete të improvizuara në frenimin e përhapjes së zjarrit.
Një zjarr ka rënë midis fshatrave Prongji dhe Kardhiq të Gjirokastrës, të cilat po favorizohen nga era e fortë.
Gazetari i Report Tv në Gjirokastër, Piro Nase, bën me dije se në terren kanë shkuar forca të shumta zjarrfikëse. I pranishëm është edhe komandanti i këtij reparti, Gramoz Llapi.
Forcat e emergjencës janë duke punuar për të izoluar dhe shuar tërësisht zjarrit, me qëllim për të mos lejuar përhapjen e tyre drejt zonave të banuara.
Një zjarr është aktivizuar sot në fshatin Kalasë në Delvinë. Zjarri ndodhet pranë banesave, ndërsa banorët dhe zjarrfikësit po punojnë për shuarjen e flakëve.
Ndërsa situata e zjarreve në qarkun e Vlorës mbetet ende kritike, me vatrën që ka përfshirë zonën e Dukatit prej ditësh dhe kërcënon parkun e Llogarasë, në terren ka dalë edhe kryebashkiaku Ermal Dredha.
Ai foli nga fshati Dukat ditën e sotme, ku dha detaje të aksionit dhe problematikave që hasen. Derdha tha se hyrja me forca njerëzore në pjesën e malit nga po fliste është shumë e vështirë, ndaj u kërkua ndihma e Ministrinë së Mbrojtjes me dy helikopterë që tashmë janë përfshirë në aksion.
Nga terreni veprojnë 60 forca, prej të cilave 36 janë të ushtrisë.
“Po punojmë me të gjithë forcat mbi Dukat fshat, së bashku, po ndërhyjmë si në pjesën e Dukatit edhe në atë të parkut të Llogarasë, për të shuar flakët dhe parandaluar përhapjen. I kemi bërë thirrje edhe Ministrisë së Mbrojtjes që na ka dërguar me mision dy helikopterë që janë përfshirë në aksion tashmë, të bërë të mundur parandalimin e zjarrit që t’i afrohet pjesës së pyjeve. Situata po menaxhohet dhe shpresoj të mos kemi probleme, edhe për pjesën e njerëzve të angazhuar me 36 forca ushtrie të angazhuara në terren që janë dërguar për këtë aksion, në total kemi 60 forca që operojnë në terren”, tha Dredha.
Kryebashkiaku shpjegoi edhearsyen se përse është kërkuar ndihma nga ajri prej Ministrisë së Mbrojtjes:
“Ka pjesë si kjo këtu që është e pamundur të menaxhohet me forca njerëzore pasi terreni është shumë i pjerrët dhe i lartë, i vështirë për të ndërhyrë. Ndaj është kërkuar edhe ndihma e Ministrisë së Mbrojtjes me helikopterë”.
Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 34 vatra zjarri, nga të cilat 8 mbeten aktive dhe 3 në monitorim. Situata më problematike paraqitet në qarqet Shkodër, Lezhë, Dibër, Elbasan dhe Gjirokastër.
Në “Majën e Paliskës” mbi fshatin Dukat, ndërhyrja me helikopterë të Forcës Ajrore solli përmirësim, por zjarri u riaktivizua dhe vijon monitorimi e ndërhyrja në terren. Edhe në Parkun Kombëtar të Lurës u angazhua një avion Canadair kroat, por zjarri nuk u shua plotësisht dhe po vazhdojnë përpjekjet.
Në vendin e quajtur “Përroi i Zi”, ndërhyrja e djeshme shmangu përhapjen e flakëve drejt banesave, por kushtet e vështira penguan kontrollin e plotë dhe puna pritet të mbështetet me 2 helikopterët hungarezë dhe avioni kroat Canadair.
Janë angazhuar gjithsej 776 forca operacionale, 40 automjete zjarrfikëse, si dhe mjete dhe avionë nga FA dhe partnerët ndërkombëtarë.
Lezhë- Ka nisur sot operacionin edhe helikopteri i dytë i ardhur në ndihmë nga Mekanizmi Europian i Mbrojtjes Civile, për fikjen e vatrave aktive të zjarrit në zonën e Shkopetit dhe Lurthit ne Qarkun e Lezhës.
Operacioni për shuarjen e flakëve po koordinohet nga drejtues të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC), në bashkëpunim me Prefektin e Qarkut dhe strukturat vendore.
Gazetari i Report Tv, Elvis Hila, informon se për të garantuar sigurinë e pilotëve gjatë ndërhyrjes ajrore, është komunikuar me Operatorin e Sistemit të Transmetimit (OST), i cili ka ndërmarrë masat për stakimin e njërës prej linjave të tensionit të lartë, që kalon pranë zonës së operacionit.
Report Tv ka siguruar edhe pamjet e këtij operacioni nga ajri, për shuarjen e dy vatrave të rrezikshme të zjarrit që po shkrumbojnë pyje e bimësi prej shumë orësh.
Një vatër zjarri është regjistruar në zonën e Sevasterit, ndërsa ka mbërritur edhe helikopteri për shuarjen e flakëve. Ndërhyrja shumë e vështirë për shkak të terrenit. Vatra e zjarrit është evidentuar mëngjesin e sotëm ndërsa flaket kanë avancuar ndjeshëm duke djegur një sipërfaqe të konsiderueshme me bimësi, peme dhe shkurre. Situata në zonë është duke u monitoruar nga zjarrfikësja e Selenicës ndërsa nëse situata agravon do të kërkohet ndërhyrje nga ajri.
Temperaturat e larta dhe era që fryn në zonë favorizon përhapjen e flakëve. Vatra e zjarrit ndodhet në lartësi pranë malit të Sevasterit ndërsa ndërhyrja nga toka është thuajse e pamundur për shkak të terrenit.
Dyshohet se zjarri të jetë i qëllimshëm për hapje kullotash duke krijuar tashme një situate problematikë në zonë. Pranë vatrës se zjarrit ndodhen stane te cilat rrezikojnë nga flaket ndërkohë që për momentin nuk ka rrezik për banesat.
Një 59-vjeçar është vënë në hetim pasi ndezi zjarr dhe dogji një sipërfaqe me bimësi në malin e Finiqit.
“Si rezultat i veprimeve të shpejta procedurale dhe punës hetimore për parandalimin dhe goditjen e zjarrvënieve të qëllimshme, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin K. Ç., 59 vjeç, banues në Finiq.
Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas, më datë 23.07.2025, rreth orës 21:30, ka ndezur zjarr në zonën e quajtur “Mali i Finiqit”, dhe si pasojë janë djegur një sipërfaqe toke me shkurre dhe bimësi të dendur”, njoftoi policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.
Prefektura e Korçës ka bërë një përditësim të situatës së zjarreve në këtë qark. Vatra në Dishnicë vazhdon me intensitet të ulët, ndërkohë që prezente në terren prej orëve të para të mëngjkesit, janë forcat e shërbimit pyjor.
Vatra tjetër në Vërnik është fikur plotësisht.
“Zjarri në Dishnicë, Njësia Administrative Bulgarec, Bashkia Korçë, aktualisht rezulton aktiv me intensitet të ulët. Forcat e shërbimit pyjor dhe ato të Njësia Administrative Bulgarec janë angazhuar që prej orës 05:00, duke krijuar breza kundër zjarrit për të ndaluar avancimin e flakëve. Zjarri në Vërnik, Njësia Administrative Qendër Bilisht, Bashkia Devoll, është neutralizuar (fikur) dhe nuk janë konstatuar riaktivizime.”, njofton prefektura.
Komente

Lerini te digjen bq se ata cobanet e ndezin vete zjarrin
Përgjigju